Dieta Trend E Modës – KETOGJENIKE – Fit Food

Me gjithë përparimet e vazhdueshme në botën mjekësore, obeziteti vazhdon të mbetet një rrezik i madh në mbarë botën për shëndetin me vdekshmërinë e të rriturve deri në 2.8 milion në vit. Shumica e sëmundjeve kronike si diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet e zemrës janë kryesisht të lidhura me obezitetin, i cili zakonisht është produkt i stilit të jetesës dhe zakoneve të dobëta dietike. Rregullat e përshtatshme të dietave për reduktimin e peshës mund të ndihmojnë në menaxhimin e epidemisë së obezitetit deri në një farë mase. Dieta më e re dhe le të themi e “modës” për vitet e fundit ka rezultuar  të jetë shumë efektive për humbjen e shpejtë të peshës; një dietë shumë e ulët në karbohidrate dhe me yndyrna të larta; Dieta Ketogjenike.

Një dietë ketogenike kryesisht përbëhet nga yndyrna të larta, proteina të moderuara dhe shumë pak karbohidrate. Makronutrientët dietikë ndahen në përafërsisht 55% deri në 60% yndyrë, 30% deri në 35% proteina dhe 5 deri në 10% karbohidrate. Në mënyrë specifike, në një dietë 2000 kcal në ditë, karbohidratet arrijnë nga 20 deri në 50 g në ditë.

Për herë të parë dieta ketogjenike është krijuar në vitin 1921 nga një mjek neurolog , Russel Wilder, për të trajtuar epilepsinë. Për gati një dekadë, dieta ketogenike  ishte mjeti më i mirë terapeutik për epilepsinë pediatrike derisa popullariteti i saj pushoi me daljen në treg të ilaceve  antiepileptike. Ringjallja e dietës ketogenike ndodhi në 5 vjecarin e fundit,  si një formulë e shpejtë e humbjes së peshës.

Në thelb, karbohidratet janë burimi kryesor i prodhimit të energjisë në indet e trupit. Kur trupi është i privuar nga karbohidratet për shkak të reduktimit të marrjes në më pak se 50g në ditë, prodhimi i hormonit insulinë reduktohet ndjeshëm dhe trupi hyn në një gjendje katabolike, pra të tretjes. Trupi detyrohet ta prodhojë vet glukozën përmes procesit të glukoneogjenezës sidomos në mëlçi kryesisht nga acidi laktik, gliceroli dhe aminoacidet alanine dhe glutamine.

Kur disponueshmëria e glukozës bie më tej, prodhimi endogjen i glukozës nuk është në gjendje të vazhdojë më, ndaj trupi kërkon të sigurojë një burim alternativ të energjisë në formën e trupave ketonike. Ato burojnë prej ndarjes së yndyrave në acide yndyrore.  Gjendja e ketozës konsiderohet mjaft e sigurt nga ana mjekësore.  Ketonet në trup mund të shfrytëzohen lehtësisht për prodhimin e energjisë nga zemra, indet e muskujve, veshkat dhe truri.

  Një dietë ketogenike e formuluar mirë, përveç kufizimit të karbohidrateve, gjithashtu kufizon marrjen e proteinave në mënyrë të moderuar në më pak se 0.8 g / kg peshe trupore, përveç nëse individët kryejnë stërvitje të rënda që përfshijnë trajnimin e peshës, kur futja e proteinave mund të rritet në sasinë prej 1.5 g / kg peshë. Kjo është për të parandaluar prodhimin endogjen të glukozës në trup përmes glukoneogjenezës. 

Njerëzit në një dietë ketogenike  fillimisht përjetojnë humbje të shpejtë të peshës deri në 4.5 kg  në 2 javë ose më pak. Kjo dietë ka një efekt diuretik, dhe humbja e hershme e peshës është për shkak të humbjes së peshës së ujit pasuar nga një humbje yndyre. Një reduktim i përgjithshëm në marrjen e kalorive ndihmon në humbjen e mëtejshme të peshës. Personat mbipeshë me sindrom metabolik, rezistencë ndaj insulinës dhe diabet të tipit 2 kanë gjasa të shohin përmirësime në shënuesit klinikë të rrezikut të sëmundjes me një dietë ketogjenike. Përveç zvogëlimit të peshës, kjo dietë gjithashtu mund të ndihmojnë në përmirësimin e presionit të gjakut, rregullimit të glukozës në gjak, triglicerideve dhe niveleve të kolesterolit HDL. Megjithatë, kolesteroli LDL mund të rritet në këtë dietë (prej tretjes dhe zbërthimit të vazhdueshëm të rezervave dhjamore). Gjithashtu, në studime të ndryshme, dieta ketogenike ka treguar rezultate premtuese në një shumëllojshmëri të çrregullimeve neurologjike si epilepsi, psikoza, ALS, trauma të trurit, akne, kancer  dhe çrregullime metabolike.  Një dietë ketogenike mund të ndiqet për një minimum prej 2 -3 javësh deri në 6 -12 muaj. Mbikëqyrja e ngushtë e funksioneve të veshkave në një dietë ketogenike është kusht i domosdoshëm. Nëse vuani nga një sëmundje e veshkave ose e mëlcisë, nuk do jua sugjeroja, pasi mund te sjelle komplikime.

Bëni kujdes në mbajtjen afatgjatë të kësaj diete. Nga praktika ime klinike, do ju sugjeroja të hynit në gjendje ketoze për maksimalisht 2 muaj e më pas të bëni një pauzë (1 muaj). Kjo pasi I vetmi efekt anësor I dietës ketogjenike janë avitaminozat, ndaj dilni nga ketoza duke pasuruar për 1 muaj dietën tuaj me perime, fruta dhe karbohidrate komplekse dhe më pas futuni në ketozë sërish.

Këshilla ime e fundit: Nëse mbani dietë ketogjenike dhe nëse ju ndalon policia, ka gjasa që testi I matjes së alkoolit të dalë fallco pozitiv. Për shkak metabolizmit të trupave ketonike, në proceset ndërmjetëse prodhohen shumë alkoole që dalin edhe përmes frymës. Ndaj bëjani të ditur policit që shkaku janë ketonet dhe jo një gotë alkool!

Post comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Go top